Në fuqi Përditësuar
Kushtet e Përdorimit
- 01Faturim për të gjithë.Biznese, freelancerë dhe persona fizikë jo afaristë, mbi 18 vjeç.
- 02Fillo falas.Pa limit faturash, për një Përdorues me një Biznes.
- 03Premium anulohet kurdo.Mbetet aktiv deri në fund të periudhës së paguar.
- 04Të dhënat janë tuajat.I eksportoni kurdo, në PDF dhe CSV.
- 05Faturat janë përgjegjësia juaj.Fatura.al nuk jep këshilla tatimore dhe nuk është softuer fiskal i certifikuar nga ATK.
- 06Njoftim 30 ditë përpara.Për ndryshimet thelbësore të kushteve dhe për çmimin e ri.
Këto kushte janë marrëveshja mes jush dhe Ornio Sh.p.k. për përdorimin e Fatura.al. Ju lutemi t’i lexoni para se të krijoni llogarinë. Përmbledhja e shkurtër: Fatura.al është mjet për faturim për biznese dhe për personat që u lëshojnë fatura klientëve të tyre. Faturat, tatimet dhe të dhënat e klientëve tuaj janë përgjegjësia juaj; ruajtja e sigurt e tyre dhe funksionimi i shërbimit janë përgjegjësia jonë.
1. Kush jemi
Fatura.al ofrohet nga Ornio Sh.p.k. (në vijim “ne”), shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) me numrin unik identifikues (NUI) 810848591, i cili është edhe numri ynë i TVSH-së. Adresa jonë është Rr. Zija Shemsiu, C-12, Hy-7, Nr-3, Prishtinë, Republika e Kosovës, dhe emaili info@fatura.al.
Këto kushte vlejnë për faqen fatura.al dhe për aplikacionin web të Fatura.al (së bashku “shërbimi”).
2. Fjalët që përdorim
- Biznes: kushdo në emër të të cilit lëshohen faturat në Fatura.al, me faturat dhe klientët e vet: person juridik, biznes individual ose person fizik pa biznes të regjistruar (person fizik jo afarist, sipas Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale, neni 2). Një llogari mund të ketë disa Biznese.
- Përdorues: personi që kyçet në një Biznes. Kontabilisti është Përdorues me rol që mund të shikojë dhe të eksportojë, por jo të ndryshojë.
- Klient: personi ose kompania të cilës Biznesi i lëshon fatura.
- Ju: Biznesi dhe Përdoruesit që veprojnë në emër të tij.
- Plani falas dhe Premium: siç përshkruhen në pikën 6.
3. Kush mund ta përdorë Fatura.al
Fatura.al është për këdo që u lëshon fatura klientëve të tij për punën ose veprimtarinë që kryen: biznese, freelancerë, profesionistë dhe persona fizikë pa biznes të regjistruar. Nuk është shërbim për nevoja personale ose shtëpiake që nuk lidhen me atë punë ose veprimtari, prandaj nuk ofrohet për konsumatorë në kuptim të Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Për ta përdorur, duhet të keni së paku 18 vjeç. Kur krijoni llogari ose shtoni një Biznes, konfirmoni se keni të drejtë të veproni në emër të atij Biznesi.
4. Si lidhet marrëveshja
- Krijoni llogarinë në aplikacion me emrin dhe emailin tuaj.
- Para se ta dërgoni formularin, mund t’i shikoni dhe t’i korrigjoni të gjitha të dhënat që keni shkruar. Pasi të krijohet llogaria, i ndryshoni ato te cilësimet.
- Pranoni këto kushte dhe Politikën e Mbrojtjes së Privatësisë. Marrëveshja lidhet në momentin kur llogaria krijohet.
- Ju dërgojmë një email që konfirmon krijimin e llogarisë.
Marrëveshja lidhet në gjuhën shqipe. Versioni në fuqi i këtyre kushteve është gjithmonë në këtë faqe, dhe mund ta ruani ose ta shtypni. Kur ndryshojnë, versionin që keni pranuar mund ta kërkoni në info@fatura.al.
5. Llogaria dhe siguria
- Jepni të dhëna të sakta dhe mbajini të përditësuara, sidomos të dhënat e Biznesit që dalin në fatura.
- Mbajeni fjalëkalimin të fshehtë dhe mos e ndani llogarinë me të tjerë. Secili Përdorues kyçet me llogarinë e vet.
- Ju vendosni kush ka qasje në Biznesin tuaj dhe me çfarë roli, dhe jeni përgjegjës për veprimet e Përdoruesve që i ftoni.
- Nëse dyshoni se dikush tjetër ka qasje në llogarinë tuaj, na shkruani menjëherë në info@fatura.al.
6. Plani falas dhe Premium
Plani falas është falas, pa afat dhe pa limit faturash, për një Përdorues me një Biznes.
Disa mundësi janë me pagesë (Premium). Çmimi, periudha e pagesës, nëse çmimi përfshin TVSH-në dhe mënyrat e pagesës shfaqen në aplikacion para se të blini. Ju nuk paguani asgjë pa e konfirmuar blerjen.
- Rinovimi: nëse në aplikacion nuk thuhet ndryshe, Premium rinovohet në fund të çdo periudhe derisa ta anuloni.
- Anulimi: mund ta anuloni kurdo në aplikacion. Anulimi hyn në fuqi në fund të periudhës së paguar, dhe deri atëherë mundësitë Premium mbeten aktive.
- Rimbursimi: për një periudhë që ka filluar nuk kthejmë pagesën, as pjesërisht.
- Pagesa e papaguar: nëse pagesa për një periudhë të re nuk kryhet, Biznesi kalon në Planin falas. Të dhënat nuk fshihen, por mundësitë Premium nuk janë më në dispozicion.
- Ndryshimi i çmimit: ju njoftojmë së paku 30 ditë para se çmimi i ri të vlejë për ju. Nëse nuk pajtoheni, mund ta anuloni para fillimit të periudhës së re.
Faturat për pagesat e Premium i lëshojmë ne, sipas ligjeve tatimore të Kosovës.
7. Faturat, tatimet dhe fiskalizimi
Fatura.al ju ndihmon t’i lëshoni faturat saktë, por nuk e bën këtë në vendin tuaj dhe nuk jep këshilla tatimore ose kontabël.
- Përmbajtja e faturave është përgjegjësia juaj: norma e TVSH-së, përjashtimet dhe neni ligjor që citoni, NUI-ja dhe numri fiskal, numërimi, afatet e lëshimit, Libri i Shitjeve dhe deklarimi në ATK. Kontrollojini faturat para se t’i dërgoni.
- Fatura.al nuk është pajisje fiskale dhe nuk është softuer fiskal i certifikuar nga ATK. Nëse u shitni konsumatorëve të fundit dhe duhet të lëshoni kupona fiskalë, për ta ju duhet pajisje ose softuer fiskal i certifikuar. Ju vendosni nëse fiskalizimi vlen për ju.
- Faturat elektronike: faturën me email ose link mund ta dërgoni kur klienti e ka pranuar faturimin elektronik (Ligji Nr. 04/L-094, neni 41). Ju siguroheni që klienti e ka pranuar.
- Ruajtja e dokumenteve: ligji ju detyron t’i ruani faturat së paku 6 vjet dhe librat kontabël së paku 10 vjet (Ligji Nr. 08/L-257, neni 6; Ligji Nr. 06/L-032, neni 20). Ky detyrim është i juaji, jo i yni. Eksportoni kopje të të dhënave rregullisht, dhe patjetër para se ta mbyllni llogarinë.
8. Përdorimi i lejuar
Nuk lejohet që Fatura.al të përdoret për:
- veprimtari të paligjshme, mashtrim ose shmangie nga tatimet, përfshirë faturat e rreme ose fiktive;
- dërgimin e emaileve që marrësit nuk i presin (spam), ose emaileve që nuk kanë lidhje me faturat dhe pagesat;
- të dhëna për të cilat nuk keni bazë ligjore, ose që cenojnë të drejtat e të tjerëve;
- ndërhyrje në shërbim: qasje pa leje, anashkalim të kufizimeve, ngarkesë të tepërt ose kopjim të kodit.
9. Të dhënat tuaja
Të dhënat që futni në Fatura.al janë tuajat. Ne i përdorim vetëm për t’jua ofruar shërbimin, siç e përshkruan pika 10 dhe Politika e Mbrojtjes së Privatësisë.
Mund t’i eksportoni kurdo, në PDF dhe CSV, ose të na kërkoni t’jua përgatisim në info@fatura.al.
Ne nuk e kontrollojmë përmbajtjen e faturave tuaja. Nëse një autoritet kompetent na e kërkon me bazë ligjore, jemi të detyruar t’i japim të dhënat që kërkon ligji (Ligji Nr. 04/L-094, neni 28).
10. Përpunimi i të dhënave të klientëve tuaj
Kjo pikë është marrëveshja për përpunimin e të dhënave personale sipas nenit 27 të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Rolet. Për të dhënat personale të Klientëve tuaj, dhe të kontakteve të tyre, Biznesi është kontrollues dhe ne jemi përpunues.
Çfarë përpunojmë. Emra, adresa emaili, adresa postare, numra telefoni, NUI dhe numra fiskalë, IBAN, dhe përmbajtjen e faturave e të pagesave, siç i futni ju. Subjektet e të dhënave janë Klientët tuaj dhe personat e tyre të kontaktit.
Qëllimi dhe kohëzgjatja. Vetëm për t’jua ofruar shërbimin: ruajtjen e të dhënave, krijimin e faturave, dërgimin e faturave dhe kujtesave me email, regjistrimin e pagesave dhe raportet. Përpunimi zgjat sa zgjat marrëveshja, plus afatet e fshirjes në pikën 13.
Ne zotohemi:
- t’i përpunojmë të dhënat vetëm sipas udhëzimeve tuaja, të cilat i jepni duke përdorur shërbimin. Nuk i përdorim për qëllimet tona dhe nuk i shesim;
- që personat tanë me qasje në to t’i ruajnë si konfidenciale;
- t’i mbrojmë me masat teknike dhe organizative të përshkruara në Politikën e Mbrojtjes së Privatësisë, përfshirë enkriptimin dhe kopjet rezervë;
- t’i përdorim vetëm nënpërpunuesit e listuar në Politikën e Mbrojtjes së Privatësisë, me të cilët kemi marrëveshje me të njëjtat detyrime. Me këto kushte na jepni leje të përgjithshme për ta. Për çdo nënpërpunues të ri ju njoftojmë së paku 30 ditë para, dhe mund të kundërshtoni ose ta mbyllni llogarinë;
- t’ju ndihmojmë t’u përgjigjeni kërkesave të Klientëve tuaj për të drejtat e tyre, dhe me detyrimet e tjera ligjore për sigurinë dhe cenimet;
- t’ju njoftojmë pa vonesë të panevojshme nëse ndodh një cenim i të dhënave që ju prek;
- në fund të marrëveshjes, t’jua kthejmë të dhënat përmes eksportit dhe pastaj t’i fshijmë, sipas afateve në pikën 13. Nëse lind mosmarrëveshje për përpunimin, ose nëse ne e ndërpresim veprimtarinë, jua kthejmë të dhënat menjëherë dhe nuk mbajmë kopje (neni 32 i Ligjit);
- t’ju japim informatat që ju nevojiten për të dëshmuar se detyrimet respektohen, dhe të lejojmë kontrollin, përfshirë vizitën në vendet ku bëhet përpunimi, me njoftim të arsyeshëm paraprak.
Ju zotoheni: të keni bazë ligjore për të dhënat e Klientëve që futni dhe për emailet që u dërgoni përmes Fatura.al, dhe t’i informoni Klientët tuaj se si i përpunoni të dhënat e tyre (neni 13 i Ligjit).
11. Disponueshmëria dhe ndryshimet e shërbimit
Shërbimi ofrohet “siç është”. Punojmë që të jetë në dispozicion gjithmonë, por nuk garantojmë që do të funksionojë pa ndërprerje ose pa gabime. Mirëmbajtjen e planifikuar e bëjmë, kur mundemi, në orë me pak përdorim.
Fatura.al zhvillohet vazhdimisht. Mundësitë mund t’i ndryshojmë ose t’i heqim për arsye ligjore, sigurie, teknike ose kur e përmirësojmë shërbimin. Nëse heqim një mundësi Premium që e keni paguar, ju njoftojmë para.
12. Përgjegjësia
Përgjegjësia jonë totale ndaj jush, për çfarëdo shkaku, kufizohet në shumën që keni paguar për shërbimin në 12 muajt para ngjarjes që e shkaktoi dëmin, ose në 50 €, cilado që është më e lartë. Nuk përgjigjemi për fitimin e humbur ose për dëme të tërthorta.
Këto kufizime nuk vlejnë për dëmin e shkaktuar me qëllim ose nga pakujdesia e rëndë, as në rastet e tjera kur ligji nuk e lejon kufizimin (Ligji Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve, neni 248).
Ju përgjigjeni për përmbajtjen e faturave dhe të dhënave tuaja, dhe për përdorimin e shërbimit në kundërshtim me këto kushte.
13. Pezullimi dhe mbyllja e llogarisë
Ju mund ta mbyllni llogarinë kurdo. Para mbylljes eksportoni të dhënat që ju duhet t’i ruani (pika 7).
Ne mund ta pezullojmë ose ta mbyllim llogarinë nëse:
- e përdorni për veprimtari të paligjshme, mashtrim ose fatura të rreme;
- e keqpërdorni dërgimin e emaileve (spam);
- i shkelni këto kushte në mënyrë tjetër, dhe nuk e ndreqni shkeljen pasi ju njoftojmë.
Para pezullimit ose mbylljes ju njoftojmë me email dhe ju japim kohë për t’u përgjigjur dhe për t’i eksportuar të dhënat. Pa njoftim paraprak veprojmë vetëm kur rasti është urgjent: kur rrezikohet siguria e shërbimit ose e përdoruesve të tjerë, ose kur e kërkon ligji ose një autoritet kompetent.
Pas mbylljes i fshijmë të dhënat e Biznesit dhe të Klientëve brenda 30 ditëve, dhe nga kopjet rezervë brenda 30 ditëve të tjera. Të dhënat e faturimit të Premium, pra faturat tona për ju, i ruajmë aq sa kërkojnë ligjet tatimore dhe kontabël, deri në 10 vjet.
14. Ndryshimet e këtyre kushteve
Kushtet mund t’i ndryshojmë kur ndryshon ligji, kur ndryshon shërbimi, ose për arsye sigurie. Për ndryshimet thelbësore ju njoftojmë me email dhe në aplikacion së paku 30 ditë para se të hyjnë në fuqi. Nëse nuk pajtoheni, mund ta mbyllni llogarinë para asaj date. Nëse vazhdoni ta përdorni shërbimin pas saj, konsiderohet se i keni pranuar kushtet e reja.
Ndryshimet e vogla, si korrigjimet gjuhësore ose sqarimet, që nuk i ndryshojnë të drejtat dhe detyrimet tuaja, hyjnë në fuqi kur publikohen.
15. Ligji dhe mosmarrëveshjet
Për këto kushte vlen ligji i Republikës së Kosovës.
Nëse lind mosmarrëveshje, na shkruani në info@fatura.al dhe do të përpiqemi ta zgjidhim me marrëveshje. Nëse nuk arrijmë, mosmarrëveshjen e zgjidh gjykata kompetente në Prishtinë.
16. Dispozita të tjera
- Nëse një dispozitë e këtyre kushteve është e pavlefshme, dispozitat e tjera mbeten në fuqi.
- Nëse një version në gjuhë tjetër ndryshon nga ky, vlen versioni në shqip.
- Marrëveshjen nuk mund t’ia kaloni dikujt tjetër pa pëlqimin tonë.
17. Kontakti
Për çdo pyetje për këto kushte na shkruani në info@fatura.al, ose në adresën tonë në pikën 1.