Në fuqi Përditësuar
Mbrojtja e Privatësisë
- 01Nuk i shesim të dhënat.As për reklama, as për askënd tjetër.
- 02Asnjë cookie në faqe.Statistikat i mbledhim pa cookies dhe pa ju identifikuar.
- 03Serverët në BE.Të dhënat e aplikacionit ruhen në Gjermani.
- 04Fshirje brenda 30 ditëve.Pasi ta mbyllni llogarinë.
- 05Të dhënat janë tuajat.Qasje, korrigjim, fshirje dhe eksport në CSV.
- 06Një adresë për gjithçka.info@fatura.al
Kjo politikë shpjegon cilat të dhëna personale përpunon Fatura.al, pse, sa kohë i ruan, kujt ia jep dhe cilat janë të drejtat tuaja. Ajo zbatohet për faqen fatura.al dhe për aplikacionin web të Fatura.al, sipas Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (në vijim “Ligji”).
1. Kush jemi
Kontrollues i të dhënave është Ornio Sh.p.k. (në vijim “ne”), kompania që ofron Fatura.al. Jemi shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) me numrin unik identifikues (NUI) 810848591. Adresa jonë është Rr. Zija Shemsiu, C-12, Hy-7, Nr-3, Prishtinë, Republika e Kosovës.
Nuk kemi zyrtar për mbrojtjen e të dhënave, sepse ligji nuk e kërkon për veprimtarinë tonë (neni 37 i Ligjit). Për çdo pyetje ose kërkesë për të dhënat personale na shkruani në info@fatura.al ose në adresën më sipër.
2. Kur jemi kontrollues dhe kur përpunues
- Jemi kontrollues për të dhënat e llogarisë suaj, të Përdoruesve dhe të Kontabilistëve, për korrespondencën me ne, për faturimin e Premium dhe për vizitat në faqe. Për këto të dhëna vlen kjo politikë.
- Jemi përpunues për të dhënat e klientëve që bizneset i futin në Fatura.al për t’u lëshuar fatura. Për ato të dhëna kontrollues është biznesi që ju lëshon faturën, dhe ne i përpunojmë vetëm sipas udhëzimeve të tij, siç e përshkruan pika 10 e Kushteve të Përdorimit.
Nëse keni marrë një faturë ose kujtesë pagese përmes Fatura.al, të dhënat tuaja i ka futur biznesi që jua ka dërguar. Për pyetje ose kërkesa, drejtojuni atij biznesi. Nëse na shkruani ne, kërkesën ia kalojmë atij.
3. Cilat të dhëna mbledhim
Kur krijoni dhe përdorni llogarinë:
- emrin, adresën e emailit dhe fjalëkalimin (të ruajtur vetëm në formë të enkriptuar njëkahëshe, hash);
- të dhënat e Biznesit që dalin në fatura: emrin, NUI-në, numrin fiskal, adresën, IBAN-in dhe logon. Kur Biznesi është biznes individual ose person fizik pa biznes të regjistruar, këto janë të dhëna personale;
- rolin tuaj dhe Bizneset ku keni qasje;
- të dhënat e Përdoruesve dhe Kontabilistëve që i ftoni: emrin dhe emailin.
Kur blini Premium: planin, periudhën, shumat, faturat tona për ju dhe statusin e pagesës. Të dhënat e kartës i përpunon ofruesi i pagesave; ne nuk i shohim dhe nuk i ruajmë.
Kur na shkruani: emailin dhe përmbajtjen e mesazhit.
Të dhëna teknike: adresën IP, llojin e shfletuesit dhe pajisjes, kohën e kyçjeve dhe regjistrat (logs) e sigurisë e të gabimeve.
Kur vizitoni faqen: statistika të përgjithshme për vizitat, pa cookies dhe pa të dhëna që ju identifikojnë (pika 11).
4. Pse i përdorim dhe mbi çfarë baze
| Qëllimi | Baza ligjore (neni 5 i Ligjit) |
|---|---|
| Krijimi i llogarisë dhe ofrimi i shërbimit | Kontrata me ju |
| Emailet e shërbimit: konfirmimi i llogarisë, rivendosja e fjalëkalimit, ftesat, njoftimet për ndryshimet e kushteve | Kontrata me ju |
| Pagesat dhe faturimi i Premium | Kontrata me ju |
| Ruajtja e faturave tona dhe e dokumenteve kontabël | Detyrim ligjor (ligjet tatimore dhe kontabël) |
| Përgjigjja ndaj kërkesave tuaja për ndihmë | Kontrata me ju, ose interesi ynë legjitim për t’ju përgjigjur |
| Siguria e shërbimit, parandalimi i keqpërdorimit dhe zgjidhja e gabimeve | Interesi ynë legjitim për ta mbajtur shërbimin të sigurt dhe funksional |
| Statistikat e përgjithshme të faqes, pa ju identifikuar | Interesi ynë legjitim për ta kuptuar dhe përmirësuar faqen |
| Lajmet dhe ofertat me email | Pëlqimi juaj, të cilin mund ta tërhiqni kurdo |
Të dhënat e llogarisë janë të nevojshme për ta lidhur dhe zbatuar kontratën. Pa to nuk mund të krijoni llogari.
Nuk marrim vendime të automatizuara dhe nuk bëjmë profilizim që ka pasoja juridike ose ndikim të ngjashëm për ju. Nuk i shesim të dhënat dhe nuk i përdorim për reklama.
5. Kujt ia japim të dhënat
Të dhënat ua japim vetëm atyre që na ndihmojnë ta ofrojmë shërbimin (nënpërpunuesve), me marrëveshje që i detyrojnë t’i mbrojnë dhe t’i përdorin vetëm sipas udhëzimeve tona:
| Nënpërpunuesi | Çka bën | Ku |
|---|---|---|
| Hetzner Online GmbH | Serverët e aplikacionit, baza e të dhënave dhe kopjet rezervë | Gjermani (BE) |
| Cloudflare, Inc. | Faqja fatura.al, rrjeti dhe mbrojtja nga sulmet, dërgimi i emaileve, statistikat e faqes (Traks) | SHBA, me rrjet global |
| AC PM LLC (Postmark) | Dërgimi i emaileve: faturat, kujtesat e pagesave dhe emailet e shërbimit | SHBA |
| Ofruesi i pagesave | Pagesat për Premium | Tregohet në aplikacion para pagesës |
Të dhënat mund t’i shohin edhe:
- Përdoruesit dhe Kontabilistët që ju i ftoni në Biznesin tuaj;
- klientët tuaj, kur u dërgoni fatura ose kujtesa;
- autoritetet kompetente, kur ligji na detyron t’ua japim.
6. Transferimi jashtë Kosovës
Të dhënat e aplikacionit ruhen në Gjermani, në Bashkimin Evropian. Cloudflare dhe Postmark janë kompani amerikane të certifikuara sipas Kornizës së Privatësisë së të Dhënave BE-SHBA (EU-U.S. Data Privacy Framework).
Si vendet e BE-së, ashtu edhe kompanitë amerikane të certifikuara sipas kësaj kornize janë në listën e vendeve me nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (Vendimi Nr. 22/2025). Prandaj transferimi te ta lejohet pa autorizim të veçantë (nenet 44–46 të Ligjit).
Nëse ndonjëherë transferojmë të dhëna në një vend që nuk është në atë listë, më parë marrim autorizimin e Agjencisë (neni 49 i Ligjit) dhe e përditësojmë këtë politikë.
7. Sa kohë i ruajmë
- Të dhënat e llogarisë dhe të Biznesit: sa kohë është aktive llogaria. Pas mbylljes i fshijmë brenda 30 ditëve, dhe nga kopjet rezervë brenda 30 ditëve të tjera. Llogaritë e Planit falas nuk fshihen automatikisht për shkak të mosaktivitetit.
- Faturat tona për Premium dhe të dhënat e pagesave: 10 vjet, sa kërkojnë ligjet tatimore dhe kontabël (Ligji Nr. 08/L-257, neni 6; Ligji Nr. 06/L-032, neni 20).
- Korrespondenca me ne: sa kohë është aktive llogaria, dhe fshihet bashkë me të.
- Regjistrat teknikë dhe të sigurisë: vetëm aq sa nevojitet për sigurinë dhe zgjidhjen e gabimeve, pastaj fshihen automatikisht.
- Pëlqimi për lajme me email: derisa ta tërhiqni.
Faturat që i lëshoni ju duhet t’i ruani vetë aq sa kërkon ligji. Eksportojini para se ta mbyllni llogarinë (pika 7 e Kushteve të Përdorimit).
8. Të drejtat tuaja
Sipas neneve 14–21 të Ligjit keni të drejtë:
- të keni qasje në të dhënat që kemi për ju dhe të merrni një kopje;
- t’i korrigjoni të dhënat e pasakta ose të paplota. Shumicën mund t’i ndryshoni vetë te cilësimet;
- të kërkoni fshirjen e të dhënave, përveç atyre që ligji na detyron t’i ruajmë;
- të kërkoni kufizimin e përpunimit;
- të kërkoni bartjen e të dhënave në format të strukturuar dhe të lexueshëm nga kompjuteri, p.sh. CSV;
- ta tërhiqni pëlqimin kurdo, kur përpunimi bazohet në pëlqim. Tërheqja nuk e bën të paligjshëm përpunimin e mëparshëm.
Kërkesën na e dërgoni në info@fatura.al. Përgjigjemi pa pagesë, pa vonesë dhe brenda një muaji. Për kërkesa të ndërlikuara afati mund të zgjatet edhe dy muaj, dhe për këtë ju njoftojmë brenda muajit të parë. Mund t’ju kërkojmë të vërtetoni identitetin para se t’u përgjigjemi.
9. E drejta për kundërshtim
Mund ta kundërshtoni kurdo përpunimin e të dhënave tuaja që bazohet në interesin tonë legjitim (neni 20 i Ligjit). Pasi të kundërshtoni, ndalojmë, përveç nëse kemi arsye bindëse ligjore që janë mbi interesat dhe të drejtat tuaja.
Mund ta kundërshtoni kurdo përdorimin e të dhënave për marketing të drejtpërdrejtë. Në atë rast ndalojmë pa kushte. Mjafton të klikoni lidhjen për çregjistrim në çdo email ose të na shkruani në info@fatura.al. Ndalojmë brenda 8 ditëve dhe jua konfirmojmë me shkrim brenda 5 ditëve të tjera (neni 74 i Ligjit).
10. Ankesa te Agjencia për Informim dhe Privatësi
Nëse mendoni se i përpunojmë të dhënat tuaja në kundërshtim me ligjin, mund të ankoheni te autoriteti mbikëqyrës (neni 52 i Ligjit). Do të na vinte mirë të na shkruanit fillimisht ne, që ta zgjidhim problemin.
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP)
- Adresa: Rr. “Zejnel Salihu” Nr. 22, 10000 Prishtinë
- Email: ankesa.aip@rks-gov.net
- Formulari i ankesave: aip.rks-gov.net/ankesat
11. Cookies
Faqja fatura.al nuk vendos cookies. Statistikat e vizitave i mbledhim me Traks, një mjet analitik që nuk përdor cookies, nuk ju ndjek nëpër faqe të tjera dhe nuk ruan të dhëna që ju identifikojnë.
Aplikacioni përdor vetëm cookies të domosdoshme: për t’ju mbajtur të kyçur dhe për sigurinë e formularëve. Pa to aplikacioni nuk funksionon, prandaj ligji nuk kërkon pëlqim për to (Ligji Nr. 04/L-109 për Komunikimet Elektronike, neni 86). Mund t’i fshini ose t’i bllokoni te cilësimet e shfletuesit, por atëherë nuk do të mund të kyçeni.
Nuk përdorim cookies për reklama ose për ndjekje.
12. Siguria
Të dhënat i mbrojmë me masa teknike dhe organizative të përshtatshme (neni 31 i Ligjit):
- lidhja me faqen dhe me aplikacionin është e enkriptuar (HTTPS);
- të dhënat ruhen të enkriptuara në serverë brenda Bashkimit Evropian;
- kopjet rezervë bëhen rregullisht dhe ruhen në një lokacion tjetër, të ndarë nga serverët kryesorë;
- qasja brenda ekipit tonë është e kufizuar vetëm te personat që u nevojitet për punë;
- secili Biznes i sheh vetëm të dhënat e veta.
Nëse ndodh një cenim i të dhënave personale, e njoftojmë Agjencinë për Informim dhe Privatësi brenda 72 orëve (neni 33 i Ligjit). Kur cenimi paraqet rrezik të lartë për ju, ju njoftojmë edhe juve pa vonesë.
13. Fëmijët
Fatura.al është për biznese dhe persona mbi 18 vjeç që lëshojnë fatura. Nuk mbledhim me dijeni të dhëna të fëmijëve. Nëse mësojmë se kemi të dhëna të dikujt nën 16 vjeç pa pëlqimin e prindit, i fshijmë.
14. Ndryshimet e kësaj politike
Kur e ndryshojmë këtë politikë, e përditësojmë datën në krye të faqes. Për ndryshimet thelbësore ju njoftojmë me email dhe në aplikacion së paku 30 ditë para se të hyjnë në fuqi.